Letërsia në pritje të poetit
Letërsia në pritje të poetit
nga Adrian NDRECA
Në të vërtetë ai nuk don me u paraqitë, e ketë gja e tregon ma së mirit poezia e tij hermetike, e difton mungesa e dëshirës me u dukë - që e shoqnoi gjatë gjithë jetës, e dishmon jeta e tij e mbyllun, fakti që sa qe gjallë nuk botoi asgja, dhe vetë qenja dhe dukja e tij fisnike dhe e distancueme prej gjanave dhe prej kohës që iu dha me jetue.
Nuk asht e tepërt me thanë dy fjalë për poetin Zef Zorba, mbasi në nji vend ku fjalosena dhunshëm çdo ditë me banalen dhe nuk mbërrijmë me shque esencën e gjanave, Zef Zorba ka nevojë me iu paraqitë lexuesit.
Jeta e poetit Zef Zorba ka pak data, mbasi kuptimsia e qenjes së tij vinte prej përtypjes së pafund të emocioneve dhe prej hapsinës së pamatun të ndjenjave. Emocionet e ndjenjat nuk kanë data, pse nuk maten me ditë e me orë, por vetëm me intensitetin e tyne të papërsëritshëm.Flas për nji kohë kur poezia ishte çnjerzue prej idhujtarisë së verbët të pushtetit, e asokohe Zef Zorba maste hapat e shpirtit të vet me ritmet e Montale-s, Quasimodo-s, Ungaretti-t, me tingujt e Ravel-it, Fauré-së, Prokofjevit, me idetë e Benedetto Croce-s e H.-G. Gadamer-it.Të gjitha këto gjana banin që qenja e tij të ishte krejt e huej për at' kohë. Zef Zorba ka lindë në vitin 1920 në Kotorr në nji familje tregtarësh shkodranë. Mbasi kreu liceun në Shkodër vijoi studimet në Padovë, në degën e Shkencave politike. Ndërpret shkollën për shkak të luftës dhe kthehet në Shkodër, ku nis me punue në bankë.
Në vitet 1945-'46 punon si regjisor tue vu në skenë disa vepra teatrale. Arrestohet në vitin 1946 për agjitacion e propagandë dhe del prej burgut mbas pesë vitesh. Arrestohet së bashku me Terezën, vajzën që do të bahej shoqja e tij e jetës, e cila do të vuejë burgun po për pesë vjetë.Mbas vitit 1951 ban punë të randomta, ma së shumti si llogaritar në ndërmarrje të ndryshme në Shkodër. Megjithatë jeta e tij nuk ka asgja të ërbashkët as me punën që i jep me hangër dhe as me kohën e mjerë në të cilën jeton.Shkruen e përkthen papushim deri në fund, por pa mujtë e pa dashtë me botue kurrë asnji varg.
Me datën 6 janar të vitit 1993 vdes në qytetin e Shkodrës, gati i panjohtun si poet. E vetmja përmbledhje poetike që ka pa deri më sot dritën e botimit asht "Buzë të ngrira në gaz"(Dituria, Tiranë 1994).Për këtë përmbledhje studiuesi Sabri Hamiti ka shkrue tash së fundi: "Libri i poezisë Buzë të ngrira në gaz dhe zbulimi i tij është hyrje në zgjidhjen e enigmës së poezisë moderne shqipe, që është edhe zgjidhje e enigmës së autorit, që zgjat gjysmë shekulli" (Albanizma, Prishtinë, 2009, f. 155).Poezia shqiptare njeh në gjysmën e dytë të shekullit të kaluem vetëm dy poetë hermetikë: Martin Camajn dhe Zef Zorbën. I pari, i ikun, i dyti i padukshëm.
Camaj mbart në hermetizmin e tij diçka prej mënyrave lakonike të shprehjes së urtisë së malsorëve, ndërsa Zorba asht i errët, "skoteinos" në sensin antik grek të termit, ai ia mbyll dritaren mushicave por len që nepërmjet saj të depërtojë nji dritë e zbehtë hane që i jep kuptim çdo gjaje. Tek vargu i Zef Zorbës ajo çka ka ma shumë randësi asht hija e objekteve sesa vetë përmasat e tyne reale.
Po të marrim burgimin e tij, do të shohim se dhimbja e vuejtja e asaj padrejtësie nuk janë të pranishme në kujtimet e tija në gjinin e familjes. Gjithçka asht kthye në varg, tue kalue përtej së keqes që i ka ndodhë atij vetë. Qe se çka shkruen tek poezia "Shkalla e Kararriqit":Harbon përbindshëm rrëpira e ngeshme në perspektivë për t'u qepur në një kënd me qiellin e detin....
O natë, o natë, mos ky na qenka pikësynimi?
Asht nji moment prej jetës së burgut, nji mbramje e mnershme dimni, kur bajonetat e rojeve duket se shpojnë rrshiqat që derdhin shiun e pafund mbi kënetën ku takohen ernat e maleve me ato të detit. Nji natë e paskaj duket se asht tue çilë kapakët e vet mbytës para tij. Drejt saj poeti ec i brishtë me fjalët e tija të cungueme prej dhimbjesh e prej mungesash esenciale.Kjo asht forca poetike nepërmjet së cilës poeti Zef Zorba rikrijon dhimbjen e vuejtjen nepër të cilën asht përshkue jeta e tij.
Hermetizmi i tij nuk ka funksion mbrojtës, mbasi ai nuk donte e nuk mendonte me i botue poezitë e tija në të gjallë të vet.
Hermetizmi i Zef Zorbës ka kuptim të dyfishtë: ekzistencial dhe profetik. Ekzistencial pse koha në të cilën ai jetoi nuk i lejonte as të mirët e as të këqijtë me përftue idena të qarta e të dallueshme.
Profetik, pse poeti mbërrin me shikue përtej mjegullës së kohës dhe me dhanë sinjale, të cilat për shumëkend janë të dobta e të pakuptueshme, por mbartin me vete nji andërr të pame me sytë çilë, siç e ka përçansue "andrrën e shpresës shndërruese" filozofi Ernst Bloch.Poezia e tij asht e përshkueme anë e përtej prej notash lirike që herë herë janë të pakapshme prej lexuesit të randomtë: Shpejto, pranverë! Kjo shpresë qenkish tharm që shpirtin brenë ma keq se urithi dhenëOse kur shkruen:
Shiu mênë një rreze e hollë nisë tymrat e po i çanë ne kapemi për të e hipim përmbi re.
Nji prej poezive të tija ma të bukura titullohet "A s'ma ndërtoni një shtëpi": A s'ma ndërtoni një shtëpi aty, aty, po aty, përtej, në mes të pyllit ku pishat shul me ahat shpupurishen aq dendur janë, e ku stuhi e murlan - kur sulen me zhaurimë e me poterë - ndijimet marramendthi i pështjellojnë e mbeten ashtu lmuç të laskaruara si përmes gjethesh shprishur rreze e hënës. Mbas viteve '90 e ashtuquejtuna "letërsia e fundit të arkës" apo "letërsia e sirtarit" na ka befasue ma së shumti me pamjaftueshmëninë e saj. Asgja nuk qe siç e patëm andrrue, e kjo s'vlen vetëm për demokracinë e përgjumun, por edhe për letërsinë e fjetun.Ndër të gjithë autorët e "letërsisë së sirtarit" ndahet në shenj Zef Zorba, frymëmarrja poetike e të cilit ka gjallnue fjalë e thërrmiza fjalësh, pa pasë nevojë me u ba patetik apo i mërzitshëm.Ai bahet gati sot, ma në fund, me ardhë drejt lexuesit me nji botim të ri, tue na pru freskinë e tij ndriçuese me fjalën e kursyeme e me penelatat e zbehta që kajherë lejojnë me shikue edhe përtej vetë fjalës.
No comments:
Post a Comment